Sistemet e ruajtjes së energjisë elektrike me bateri, të njohura si BESS ose USEE po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në strategjinë energjetike të kompanive. Por vetë bateria nuk mjafton për të krijuar vlerë.
Me menaxherin e sapoemëruar të EVN Furnizim, Patrik Vasiç, biseduam për atë se çfarë duhet të kenë parasysh kompanitë përpara se të investojnë në BESS, cili është roli i Sistemit të Menaxhimit të Energjisë (Energy Management System – EMS) dhe pse vetë teknologjia nuk mjafton për shfrytëzimin e plotë të potencialit të sistemeve të baterive.
Për një kompani që po shqyrton për herë të parë një sistem baterie, nga duhet të fillojë?
Patrik Vasiç: Gjëja më e rëndësishme është që kompania të mos fillojë me pyetjen „cilën bateri duhet të blejmë“, por me pyetjen „si e përdorim energjinë sot dhe ku mund ta menaxhojmë më mirë atë“.
Një analizë e mirë ndjek ritmin e konsumit dhe prodhimit gjatë ditës, sezonit dhe vitit. Për kompanitë që kanë një central fotovoltaik, është veçanërisht e rëndësishme të identifikohet kur krijohet tepricë energjie, kur shfaqet konsum më i lartë dhe si mund të harmonizohen më mirë këto dy profile.
Paralelisht, duhet të shqyrtohen kushtet kontraktuale për furnizimin dhe blerjen e energjisë, mundësitë dhe kufizimet e lidhjes në rrjet, si dhe karakteristikat teknike të vetë baterisë: kapaciteti i përdorshëm, fuqia e karikimit dhe shkarkimit, efikasiteti, kufizimet e nivelit të karikimit dhe kushtet e garancisë së prodhuesit.
Një sistem i dimensionuar siç duhet nuk është domosdoshmërisht sistemi më i madh. Është sistemi që i përshtatet më së miri nevojave konkrete energjetike dhe planeve zhvillimore të kompanisë.
Kur flasim për BESS, fokusi shpesh është te vetë bateria – kapaciteti, fuqia dhe teknologjia. Por sa i rëndësishëm është mënyra se si menaxhohet ajo bateri?
Patrik Vasiç: Kjo është pyetja thelbësore. Bateria krijon potencialin, por menaxhimi krijon vlerën.
E njëjta bateri mund të ketë një efekt krejtësisht të ndryshëm, në varësi të faktit nëse karikohet dhe shkarkohet në momentin e duhur, nëse harmonizohet me prodhimin nga centrali fotovoltaik, me konsumin e kompanisë dhe me kushtet e tregut.
Prandaj, BESS nuk duhet të shihet vetëm si një pajisje për ruajtjen e energjisë. Ai duhet të shihet si një burim aktiv energjetik, i cili, përmes menaxhimit të duhur, mund t’i japë kompanisë fleksibilitet më të madh dhe kontroll më të mirë mbi pozicionin e saj energjetik.
Çfarë përfaqëson një Energy Management System modern dhe cili është roli i tij në vlerën që klienti merr nga BESS?
Patrik Vasiç: EMS-i modern është „sistemi nervor“ digjital i baterisë. Ai monitoron gjendjen e karikimit, kapacitetin e disponueshëm, fuqinë, alarmet dhe parametrat e tjerë të rëndësishëm teknikë, ndërsa përmes ndërfaqeve të dakorduara mund të pranojë dhe të zbatojë sinjale operative.
Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi: EMS-i është mjeti teknologjik, ndërsa optimizimi është logjika dhe strategjia që qëndrojnë pas menaxhimit.
Një EMS cilësor mund të sigurojë kontroll të shkëlqyer teknik, por vlera për klientin varet nga fakti nëse sistemi është i lidhur me të dhënat e duhura, nëse merr parasysh nevojat reale të kompanisë dhe nëse funksionimi i tij është i harmonizuar me kushtet e tregut dhe ato kontraktuale.
Si vendos EMS-i në praktikë se kur duhet të karikohet dhe shkarkohet bateria?
Patrik Vasiç: Vendimi nuk duhet të reduktohet vetëm në një rregull të vetëm, për shembull: „kariko kur është lirë, shkarko kur është shtrenjtë“. Në realitet, menaxhimi i baterisë është shumë më kompleks.
Duhet të merren parasysh parashikimet për konsumin dhe prodhimin, zhvillimet e pritshme të tregut, gjendja e karikimit të baterisë, kapaciteti i disponueshëm, kufizimet teknike, efikasiteti i ciklit dhe kushtet e garancisë.
Ndonjëherë vendimi më i mirë nuk është që bateria të shkarkohet menjëherë, por të ruhet një pjesë e kapacitetit të saj për një periudhë kur ai do të ketë vlerë më të madhe. Prandaj, menaxhimi i mirë nuk ndjek një rezultat të izoluar për një orë të vetme, por ndërton një strategji të balancuar për të gjithë periudhën e llogaritjes.
Sa e rëndësishme është që EMS-i të mund të lidhë dhe koordinojë burimet e ndryshme energjetike të kompanisë? Cilat janë rreziqet e zgjedhjes së një sistemi të mbyllur të lidhur me një prodhues ose ofrues të vetëm shërbimesh?
Patrik Vasiç: Bateria nuk funksionon në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e sistemit energjetik të kompanisë. Një EMS që monitoron vetëm baterinë sheh vetëm një pjesë të të gjithë tablosë.
Kur EMS-i ka informacion edhe për prodhimin nga centrali fotovoltaik, konsumin, energjinë e marrë nga rrjeti dhe energjinë e dorëzuar në rrjet, ai mund të mbështesë vendime operative shumë më cilësore. Teprica nga prodhimi vetjak mund të ruhet në vend që të dorëzohet menjëherë në rrjet, ndërsa energjia e ruajtur mund të përdoret më vonë, kur ka vlerë më të madhe për kompaninë.
Pikërisht për këtë arsye integrimi është kaq i rëndësishëm. Një sistem i mbyllur mund ta kryejë në mënyrë të përsosur funksionin e tij bazë teknik, por megjithatë mund të kufizojë qasjen në të dhëna, komunikimin me sisteme të jashtme ose mundësinë që në të ardhmen të punohet me një ofrues tjetër shërbimesh.
Përpara zgjedhjes së një EMS-i, kompanitë duhet të verifikojnë se kush i zotëron dhe kontrollon të dhënat operative, nëse ato janë të disponueshme në kohë reale, nëse sistemi disponon ndërfaqe të dokumentuara dhe nëse mund të shkëmbejë në mënyrë të sigurt sinjale me platforma të tjera relevante.
Hapja nuk nënkupton kompromis me sigurinë ose sigurinë kibernetike. Ajo nënkupton shmangien e varësisë së panevojshme teknologjike dhe ruajtjen e fleksibilitetit të nevojshëm për t’iu përshtatur nevojave të ardhshme të kompanisë dhe ndryshimeve që mund të ndodhin në tregun e energjisë.
Nga këndvështrimi i një klienti që ka kontratë për furnizim me energji elektrike, çfarë vlere shtesë krijohet kur BESS dhe EMS komunikojnë me sistemet e furnizuesit?
Patrik Vasiç: Funksionimi i baterisë ndikon drejtpërdrejt në energjinë elektrike që kompania merr nga rrjeti dhe dorëzon në rrjet, si dhe në programet që dorëzohen në treg. Prandaj, optimizimi i saj nuk mund të jetë efikas pa kuptuar këtë kontekst më të gjerë komercial.
Kur BESS mund të komunikojë me sistemet e furnizuesit dhe optimizuesit, funksionimi i tij mund të harmonizohet me parashikimet reale për konsumin dhe prodhimin, çmimet e furnizimit dhe blerjes, programet e tregut dhe kërkesat e portofolit.
Këtu EVN Furnizim krijon vlerë shtesë. Ne kombinojmë mundësitë teknike të baterisë me përvojën tonë në furnizimin me energji elektrike, blerjen e energjisë, përgatitjen e programeve, pozicionimin në treg dhe menaxhimin e portofolit. Bateria nuk menaxhohet përmes një algoritmi të izoluar, por si pjesë e pozicionit më të gjerë energjetik të klientit.
Klienti gjithashtu duhet të ketë një pasqyrë të qartë të rezultateve. Prandaj, të dhënat transparente, metodologjia e përcaktuar qartë e llogaritjes dhe raportet e rregullta të rakordimit janë pjesë e rëndësishme e shërbimit. Optimizimi nuk duhet të jetë një „kuti e zezë“.
Kostot e disbalancave nuk janë gjithmonë të dukshme në çmimin bazë të ofertës për optimizim. Pse është e rëndësishme që klientët të kuptojnë se si shpërndahet ky rrezik?
Patrik Vasiç: Sepse një ofertë komercialisht tërheqëse mund të duket krejt ndryshe nëse kostot e disbalancave dhe rreziqet operative në fund i transferohen pronarit të baterisë.
Kontrata duhet të bëjë qartë dallimin ndërmjet kostove që rrjedhin nga funksionimi i rregullt dhe optimizimi i baterisë dhe kostove që lindin për shkak të rrethanave për të cilat është përgjegjës Pronari.
Në modelin e EVN Furnizim, kostot e devijimeve dhe të disbalancave që rrjedhin nga funksionimi i rregullt dhe optimizimi i baterisë nuk i transferohen Pronarit të BESS. Ato menaxhohen nga EVN Furnizim si pjesë e aktiviteteve të tij për menaxhimin e portofolit.
Pronari mund të mbajë vetëm kostot e drejtpërdrejta, të arsyeshme dhe të verifikueshme që rrjedhin nga një shkak i përcaktuar qartë, siç janë mosraportimi i mungesës së disponueshmërisë së baterisë, kufizimi teknik i paraportuar, të dhënat operative të pasakta, moszbatimi i një udhëzimi operacional të vlefshëm ose ndërhyrja e paautorizuar nga një palë e tretë.
Ky dallim është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Klienti nuk duhet të ekspozohet ndaj kostove të papërcaktuara ose të pakufizuara të balancimit vetëm sepse ofruesi i shërbimit ka vendosur të mos e menaxhojë këtë rrezik. Përgjegjësitë, përjashtimet dhe metodat e llogaritjes duhet të jenë plotësisht transparente që në fillim.
Nëse një kompani planifikon sot një investim në BESS dhe EMS, cili do të ishte këshillimi juaj më i rëndësishëm për zgjedhjen e një zgjidhjeje që do të mbetet relevante gjatë 5–10 viteve të ardhshme?
Patrik Vasiç: Kompanitë duhet të shohin përtej investimit fillestar, markës së baterisë dhe projeksioneve për të ardhurat e ardhshme. Është e nevojshme të vlerësohet i gjithë modeli operacional.
Pyetja e parë është nëse bateria është projektuar sipas profilit real energjetik të kompanisë. E dyta është nëse EMS-i siguron qasje të besueshme në të dhëna dhe fleksibilitet të mjaftueshëm për integrim. E treta është nëse modeli komercial shpjegon qartë se si krijohet vlera dhe si shpërndahen rreziqet, kostot dhe përgjegjësitë.
Një investim afatgjatë në BESS nuk duhet të varet nga një mjedis teknologjik i mbyllur, një strategji njëdimensionale optimizimi ose një marrëveshje në të cilën rreziqet e rëndësishme të tregut bëhen të dukshme vetëm pas fillimit të operimit.
Një partner i mirë për optimizim duhet të jetë në gjendje të shpjegojë jo vetëm kur bateria do të karikohet dhe shkarkohet, por edhe pse merret një vendim i caktuar, si do të matet vlera e krijuar dhe kush mban përgjegjësinë për secilin rrezik përkatës.
Në fund të fundit, zgjidhja më e mirë nuk është vetëm ajo që ruan energji elektrike. Është zgjidhja që menaxhon çdo megavat-orë të ruajtur me një objektiv të qartë teknik, logjikë komerciale dhe shpërndarje transparente të përgjegjësive.