EVN Furnizmi: Cili është qëllimi kryesor i projektit për instalim të sistemit të baterive të Elektranat?
Stojchevski: Qëllimi i instalimit të sistemeve baterike në centralet fotovoltaike të EVN Elektranat është t’i përgjigjet zhvillimeve të fundit në sistemet elektroenergjetike dhe në bursat energjetike, përkatësisht të mundësojë:
- rezultat më të mirë financiar nga energjia e prodhuar, përmes mundësisë që energjia të ruhet në periudhat kur çmimi në bursë është shumë i ulët ose zero, dhe të shitet më vonë në orët kur çmimi është më i lartë;
- të ardhura shtesë nga ofrimi i “energjisë fleksibile” si shërbim sistemik për operatorin e sistemit të transmetimit;
- lehtësim të rrjetit distributiv në periudhat me prodhim të lartë të energjisë elektrike nga centralet fotovoltaike të përqendruara dhe të lidhura në trafostacionet kryesore distributive.
EVN Furnizmi: Si përshtatet ky projekt në strategjinë më të gjerë energjetike të grupacionit EVN?
Stojchevski: Aktualisht, EVN Elektranat zotëron dhe operon me “baterinë” më të madhe brenda EVN Grupacionit, me kapacitet total prej 20 MWh dhe fuqi të instaluar prej 10 MW. Paralelisht po zhvillohen dhe implementohen sisteme edhe më të mëdha në EVN Austri (70 MW / 140 MWh), si dhe në EVN Bullgari, gjë që tregon se optimizimi i shfrytëzimit të energjisë elektrike përmes ruajtjes së saj është pjesë e strategjisë energjetike të të gjithë EVN Grupacionit.
EVN Furnizmi: Pse bateritë janë tani veçanërisht të rëndësishme në tregun energjetik maqedonas?
Stojchevski: Tregu energjetik maqedonas po përballet me sfida të shumta të shkaktuara nga:
- numri i madh i centraleve fotovoltaike të ndërtuara në një periudhë relativisht të shkurtër, të cilat prodhojnë më shumë energji elektrike sesa nevojat aktuale të konsumatorëve;
- tarifat shtesë për eksportin e energjisë elektrike drejt vendeve anëtare të BE-së, si rezultat i zbatimit të mekanizmit CBAM nga 01.01.2026.
Në këto rrethana, prodhuesit dhe prosumatorët e energjisë elektrike po mendojnë gjithnjë e më shumë për implementimin e zgjidhjeve fleksibile për shfrytëzimin e energjisë, të cilat ofrohen pikërisht nga sistemet baterike për ruajtjen e energjisë elektrike.
EVN Furnizmi: Cilat janë sfidat më të mëdha për zbatimin e sistemeve të tilla në vendin tonë?
Stojchevski: Ekzistojnë sfida teknike, ligjore dhe financiare për implementimin e pajisjeve për ruajtjen e energjisë elektrike (BESS), si:
- gjetja e lokacionit të përshtatshëm me kushte rrjeti që lejojnë kyçjen e sistemit;
- realizimi i kyçjes teknike dhe integrimi i sistemit baterik me centralet ekzistuese për prodhim të energjisë elektrike, duke përfshirë përdorimin e kyçjes së përbashkët në rrjetin distributiv, transformimin në tension të mesëm dhe përshtatjen e trafostacioneve ekzistuese;
- respektimi i procedurave për marrjen e lejeve dhe dokumentacionit sipas ndryshimeve të fundit në Ligjin për Energjetikë:
- miratimi në planin vjetor për objektet elektroenergjetike;
- marrja e autorizimit për ndërtimin e objekteve energjetike;
- sigurimi i tregut të përshtatshëm për plasimin e energjisë elektrike të prodhuar përmes marrëveshjeve adekuate për blerje;
- furnizimi në kohë me pajisje, për shkak të ndryshimeve të çmimeve dhe komplikimeve në zinxhirët e furnizimit si pasojë e zhvillimeve globale.
EVN Furnizmi: Si e shihni rolin e baterive në sistemin e energjisë në Maqedoni në 5-10 vitet e ardhshme?
Stojchevski: Roli i sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike në periudhën afatmesme (5–10 vite) mund të përshkruhet me një fjalë: kyç. Këto sisteme paraqesin zgjidhjen më të thjeshtë dhe më të shpejtë për t’iu përgjigjur sfidave aktuale të sektorit energjetik. Njëkohësisht, jetëgjatësia dhe performanca e tyre janë në përputhje me zhvillimin e sotëm teknologjik, i cili garanton funksionalitet dhe performancë të qëndrueshme deri në 10 vite.
EVN Furnizmi: Çfarë do t'u rekomandonit kompanive që pretendojnë investimin në bateri?
Stojchevski: Kompanitë e para që do të implementojnë sisteme për ruajtjen e energjisë elektrike do të kenë mundësi për kthim më të shpejtë të investimit. Megjithatë, kjo varet nga mënyra e shfrytëzimit të sistemit dhe nga kontratat adekuate për furnizim dhe shitblerje të energjisë elektrike, përkatësisht nga:
- marrëveshja e qëndrueshme për furnizim dhe blerje të energjisë elektrike me furnizues që disponon sistem profesional për menaxhim të portofolit energjetik (EPM – Energy Portfolio Management);
- sistemi adekuat për menaxhimin e baterisë (EMS – Energy Management System);
- integrim i suksesshëm ndërmjet dy sistemeve për të siguruar të ardhura maksimale dhe shpërndarje të drejtë ndërmjet palëve.
Investimi në sisteme për ruajtjen e energjisë elektrike nuk sjell kthim të shpejtë të investimit, por siguron stabilitet afatgjatë energjetik, më pak pasiguri operative dhe rrezik më të ulët nga ndryshimet negative në sistemet energjetike dhe bursat e energjisë elektrike.
