Që nga fillimi i luftës me Iranin, tregjet globale të energjisë po përballen sërish me pasiguri. Brenda vetëm disa ditësh, çmimet e energjensave u rritën për 20 deri në 30 për qind. Që atëherë, të njejtat pësojnë luhatje të vazhdueshme, varësisht nga zhvillimet në terren dhe deklaratat e aktorëve kyç.
Megjithatë, krahasuar me krizën energjetike të vitit 2022, Evropa sot është në një pozitë më rezistente. Në atë kohë, varësia e madhe nga gazi rus çoi në tronditje të menjëhershme dhe të konsiderueshme të çmimeve. Sot, rajoni është më pak i varur nga importi i energjisë nga Lindja e Mesme, që do të thotë se ndikimi i përgjithshëm mbi çmimet e energjisë elektrike pritet të jetë më i moderuar. Sidoqoftë, kohëzgjatja e konfliktit mbetet faktor kyç. Sa më shumë të zgjasë lufta, aq më i madh mund të jetë presioni mbi tregjet e energjisë.
Në Maqedoni, ndikimi është i ndryshëm për amvisëritë dhe bizneset. Çmimet e energjisë elektrike për amvisëritë janë të rregulluara dhe sigurohen përmes “furnizuesit universal” dhe kontratave afatgjata të blerjes. Kjo siguron stabilitet dhe i mbron konsumatorët nga luhatjet afatshkurtra në tregjet globale. Përderisa këto kontrata janë në fuqi, nuk priten ndryshime të mëdha për amvisëritë. Ndryshime të mundshme mund të shfaqen në periudhën e ardhshme rregullatore pas vitit 2028, varësisht nga trendet globale të çmimeve dhe vendimet e Komisionit Rregullator. Nëse konflikti përfundon së shpejti, nuk priten efekte të rëndësishme mbi amvisëritë.
Për bizneset, situata është më dinamike. Shumica e kompanive punojnë me kontrata që lidhen me çmimet për-orë në tregun “spot”. Gjatë ditës, veçanërisht midis orës 10:00 dhe 17:00, çmimet e energjisë elektrike zakonisht janë më të ulëta për shkak të prodhimit të lartë nga panelet diellore (fotovoltaikët) në rajon. Ky trend pritet të vazhdojë pavarësisht situatës gjeopolitike aktuale. Megjithatë, çmimet në mbrëmje dhe në orët e hershme të mëngjesit janë më të ndjeshme ndaj çmimeve të karburanteve fosile, pasi ato kryesisht formohen nga termocentralet. Nëse çmimet e gazit, naftës dhe qymyrit rriten, pritet rritje edhe e çmimit të energjisë elektrike në këto periudha.
Në përgjithësi, edhe pse çmimet mesatare për bizneset mund të rriten, ka gjasa që ndikimi të mos jetë aq i theksuar sa vitin e kaluar. Pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e energjisë diellore më të lirë gjatë ditës vepron si faktor balancues dhe zbut efektin e përgjithshëm.
Si përmbledhje, konflikti do të ketë ndikim mbi çmimet e energjisë elektrike, por pritet që ky ndikim të jetë më i vogël sesa gjatë krizës që filloi në vitin 2022. Shkalla e këtij ndikimi do të varet kryesisht nga kohëzgjatja e luftës, ndërsa ndryshimet strukturore në tregun e energjisë ndihmojnë në zbutjen e rreziqeve.
Për informacione më të reja ose udhëzime më të detajuara, ju lutemi kontaktoni
menaxherin tuaj për klientët kyç.
