Zoran Gjorgievski,
menaxher
Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike – MEMO SHPKNJP Shkup
*****
EVN Furnizmi: Si u ndryshua tregu i energjisë elektrike që nga fillimi i funksionimit të Bursës së Maqedonisë?
Gjorgjievski: Bursa e Maqedonisë e Energjisë Elektrike, e menaxhuar nga Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike – MEMO, funksionon me sukses gati dy vjet dhe ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në modernizimin dhe zhvillimin e tregut në vendin tonë.
Tregtimi zyrtar në bursën vendase filloi më 10 maj 2023 me 22 kompani, dhe sot tashmë ka 37 pjesëmarrës të regjistruar që tregtojnë në mënyrë aktive. Themelimi i Bursës së Maqedonisë çoi në transparencë më të lartë dhe formim më të mirë të çmimeve në bazë të ofertës dhe kërkesës. Kjo u lejoi pjesëmarrësve që të planifikojnë më mirë blerjet dhe shitjet e tyre, si dhe t’i menaxhojnë kostot në mënyrë më efikase.
Përmes tregtimit të rregullt në treg ditë përpara, Maqedonia ka marrë një çmim referues për energjinë elektrike, i cili i siguron ekonomisë sinjal përkatës çmimi të nevojshëm për të gjitha analizat dhe planifikimet, ndërkohë forcon gjithashtu stabilitetin dhe parashikueshmërinë e tregut me shumicë. Gjithashtu, bursa stimuloi rritjen e konkurrencës, që rezultoi me kushte më të mira të furnizimit, likuiditet më të madh dhe qasje më të sigurt në energji elektrike për të gjithë pjesëmarrësit.
EVN Furnizmi: Sa i rëndësishëm është roli i MEMO-s në modernizimin e sektorit të energjisë në Maqedoninë e Veriut?
Gjorgjievski: Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike – MEMO luan rol kyç në modernizimin e sektorit të energjisë në vendin tonë, veçanërisht nëpërmjet zhvillimit të mekanizmave të tregut, rritjes së transparencës dhe integrimit me tregjet rajonale dhe europiane.
Ky rol u vu në dukje edhe në "Raportin vjetor mbi Zbatimin e Legjislacionit të Komunitetit të Energjisë", ku u theksua rëndësia e vendosjes së tregut ditë përpara dhe aktivitetet e ndërmarra në procesin e integrimit me tregun e vetëm europian të energjisë elektrike. MEMO punon në mënyrë aktive në arritjen e qëllimit të vendosur nga Qeveria dhe Ministria e Energjetikës dhe Lëndëve të Para Minerale – krijimi i një tregu konkurrues dhe të integruar të energjisë elektrike, i cili do të jetë pjesë e sistemit më të gjerë europian. Kjo nënkupton lidhje të plotë me tregjet e energjisë elektrike në rajon dhe në BE, gjë që do të mundësojë stabilitet më të madh, kosto më të ulëta dhe efikasitet më të mirë në furnizimin me energji elektrike.
Me përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës tregtare, digjitalizimin dhe zgjerimin e segmenteve të tregut, MEMO mbetet nxitësi kryesor i tranzicionit energjetik dhe zhvillimit ekonomik të shoqërisë sonë.
EVN Furnizmi: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat u përballët gjatë vitit të kaluar dhe si i keni kapërcyer ato? Cilat janë sukseset më të mëdha?
Gjorgjievski: Në muajin tetor të vitit të kaluar, festuam 18 vjet nga themelimi i Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike (OTEE) dhe 5 vjet nga transformimi në Operatorin Kombëtar të Tregut të Energjisë Elektrike (MEMO). Më lejoni të përmend se përveç bursës së energjisë elektrike, në punën e saj MEMO integron disa funksione që lidhen me menaxhimin e tregut me marrëveshje bilaterale, si dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme në tregun e energjisë elektrike.
Dy përvjetorët që i festuam janë të rëndësishëm dhe reflektojnë punën tonë të përkushtuar gjatë viteve. Falë ekipit të ekspertëve që punojnë në MEMO, si dhe me mbështetjen e partnerëve tanë nga EPEX - bursa më e madhe në Bashkimin Europian dhe BSP - Bursa Sllovene e Energjisë, Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Ministrisë së Energjisë, Xehetarisë dhe Lëndëve të Para Minerale, si dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sektorin e energjisë në vendin tonë, po zbatojmë procese të rëndësishme dhe po arrijmë që t'i shndërrojmë sfidat në mundësi.
Një nga sukseset tona të mëdha në periudhën e kaluar është fakti që MEMO ka filluar procesin e krijimit dhe futjes në përdorim të regjistrit të Garancive të Origjinës nga burimet e ripërtëritshme. Për këtë qëllim, u bëmë anëtar vëzhgues i Shoqatës së Organeve Lëshuese (SHOL) / (Association of Issuing Bodies – AIB), duke përforcuar angazhimin tonë mbi monitorimin dhe transparencën e energjisë së ripërtëritshme.
Ne besojmë se interesi do të jetë i madh, sepse Garancitë vërtetojnë se energjia buron nga burime të ripërtëritshme, që është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë vendase që eksportojnë në tregun europian.
EVN Furnizmi: Cilat janë përfitimet për kompanitë nga tregtimi në tregun ditë përpara?
Gjorgjievski: Rritja e numrit të kompanive që tregtojnë në Bursën Maqedonase të Energjisë Elektrike është tregues i rritjes së besimit në tregtimin ditë përpara në treg. Ky është konfirmim i sigurisë së vendosur dhe çmimeve përkatëse për çdo orë të ditës, si dhe i konkurrueshmërisë me bursat rajonale.
Për kompanitë, pjesëmarrja në tregun ditë përpara paraqet mundësi strategjike për të menaxhuar më mirë kostot e energjisë, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të zvogëluar rreziqet lidhur me paqëndrueshmërinë e çmimeve të energjisë elektrike.
EVN Furnizmi: Si përcaktohen çmimet e energjisë elektrike në bursën maqedonase dhe cilët faktorë ndikojnë më shumë mbi to?
Gjorgjievski: Çmimet e energjisë elektrike në bursën maqedonase përcaktohen në bazë të parimeve të ofertës dhe kërkesës, nëpërmjet mekanizmit të ankandeve ku prodhuesit dhe furnizuesit paraqesin oferta për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike. Ky model tregu mundëson formimin transparent dhe konkurrues të çmimeve në kohë reale dhe është identik me modelin e përdorur në BE.
Gjithashtu, platforma e përdorur në MEMO është platforma e njëjtë që përdoret nga bursat më të mëdha të energjisë elektrike në Europë. Që nga dita e parë e tregtimit në bursën e energjisë elektrike, patëm tregtim çdo orë të ditës, duke arritur sasi të kënaqshme të energjisë elektrike të tregtuar me çmime reale të tregut.
Që atëherë, sasi të energjisë elektrike janë tregtuar në bursë çdo orë, shtatë ditë në javë, dhe oferta dhe kërkesa kanë qenë vazhdimisht në rritje, gjë që është një tregues i mirë i rritjes së një burse të re të energjisë elektrike siç është ajo maqedonase.
EVN Furnizmi: Cilat janë hapat e ardhshëm për zhvillimin e bursës së energjisë elektrike në Maqedoni? A planifikoni të prezantoni produkte të reja tregtare?
Gjorgjievski: Zhvillimi i bursës së energjisë elektrike është një proces i vazhdueshëm, që synon likuiditet më të madh, integrim rajonal dhe vendosje të mekanizmave të reja tregtarë.
Ne po punojmë në mënyrë aktive për t'u lidhur me tregjet rajonale dhe europiane përmes integrimit të Bursës së Maqedonisë me bursat në rajon. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ne nënshkruam një Marrëveshje me Bursën Sllovene të Energjisë (BSE) për mbështetje teknike që do të mundësojë zbatimin e përshpejtuar të bashkimit të tregut (market coupling).
Në këtë mënyrë, ne po intensifikojmë bashkëpunimin në projektet aktuale dhe të ardhshme me fokus mbi lidhjen e tregut në Europën Juglindore në kuadër të iniciativës (Iniciativa e Tregut të Energjisë Elektrike të Europës Juglindore - SEE MC) / Southeast Europe Electricity Market Initiative - SEE MC). Ndërlidhja e tregut sjell përfitime për pjesëmarrësit në tregun e organizuar të energjisë elektrike, përdoruesit përfundimtar të energjisë elektrike dhe ekonominë nacionale. Kjo do të mundësojë konkurrencë më të mirë, formim më efikas të çmimeve dhe qasje në një treg më të madh të energjisë elektrike.
Po punojmë gjithashtu në zhvillimin e një Tregu Brenda Ditës
(Intraday Market) dhe Garancive të Origjinës (GOs) nga burimet e ripërtëritshme.
EVN Furnizmi: Si e shihni të ardhmen e tregut të energjisë elektrike në Maqedoni në 5-10 vitet e ardhshme?
Gjorgjievski: Në dekadën e ardhshme, ne besojmë se do t'i zbatojmë projektet e përcaktuara me qëllim që tregu maqedonas i energjisë elektrike të bëhet më dinamik, plotësisht i integruar me rajonin dhe BE-në, dhe më i sofistikuar në aspektin e tregtimit dhe menaxhimit të riskut.
Sfidat kryesore varen gjithashtu nga zhvillimet globale dhe trazirat energjetike, të cilat do të kenë një ndikim të rëndësishëm mbi tregun maqedonas.
Një nga prioritetet kryesore do të jetë balancimi i liberalizimit të tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve përfundimtar nga luhatjet e çmimeve.
Me zhvillimin e menaxhimit të kërkesës, në tregun balancues, me integrimin e plotë me tregjet rajonale dhe europiane dhe përmirësimin e rregullimit, ne presim një treg të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike që do të kontribuojë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe furnizimin e sigurt me energji elektrike.